Secondary Adv

Tatimet apel bizneseve: Nga qershori, pagesa online në turizëm dhe transport

Drejtoria e Tatimeve u kërkon strukturave akomoduese dhe operatorëve të transportit të instalojnë pajisjet POS deri më 30 maj, për të nxitur pagesat elektronike dhe ulur përdorimin e cash-it.

Përdorimi i parasë cash në Shqipëri vijon të mbetet shumë i lartë, ndërsa autoritetet po shtojnë presionin për formalizimin e pagesave dhe reduktimin e transaksioneve jashtë sistemit bankar.

 

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars 2026, paraja që qarkullonte jashtë bankave arriti në 4 miliardë e 827 milionë euro, ose 331 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Të dhënat tregojnë se fenomeni i pagesave cash është rritur vazhdimisht gjatë dekadës së fundit. Nga rreth 2.3 miliardë euro që qarkullonin jashtë sistemit bankar në vitin 2015, vlera është dyfishuar duke kaluar mbi 4.8 miliardë euro në fund të vitit 2025.

 

Tatimet kërkojnë instalimin e POS deri më 30 maj

Për të frenuar përdorimin e parasë në dorë dhe për të rritur gjurmueshmërinë e transaksioneve, Drejtoria e Tatimeve u ka rikujtuar strukturave akomoduese, operatorëve të transportit, institucioneve dhe shoqërive publike me kapital shtetëror detyrimin ligjor për instalimin e pajisjeve POS në pikat e shitjes.

 

Sipas ligjit për procedurat tatimore, afati për sektorin e turizmit dhe transportit përfundon më 30 maj 2026, ndërsa për bizneset e tjera detyrimi do të shtrihet gradualisht deri më 31 dhjetor 2026.

 

Autoritetet argumentojnë se zgjerimi i pagesave elektronike do të sjellë më shumë transparencë, shërbim më të shpejtë për qytetarët dhe formalizim të aktivitetit ekonomik.

 

Masat kundër parasë cash dhe informalitetit

Qeveria ka nisur këtë vit një seri masash për kufizimin e përdorimit të cash-it në ekonomi. Për individët është vendosur kufiri maksimal prej 5 mijë eurosh për blerjet me para në dorë, ndërsa për bizneset kufiri i pagesave cash është ulur nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë.

 

Autoritetet theksojnë se lufta ndaj parasë cash synon jo vetëm uljen e informalitetit dhe evazionit fiskal, por edhe frenimin e pastrimit të parave dhe gjurmimin e burimeve të pajustifikuara të pasurisë.

 

Sipas administratës tatimore, përdorimi më i gjerë i pagesave elektronike do të ndihmojë në rritjen e kontrollit fiskal dhe në uljen e hapësirave për transaksione të padeklaruara.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat